Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar sot paralajmërimin e bërë të hënën për Serbinë nga kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një fjalimi të mbajtur në Akademinë përkujtimore për viktimat e masakrës se Reçakut.

“Serbia mos ta provon të kthehet, se më nuk do të ndalemi deri në Nish”, ishte deklarata e Veselit, e cila bëri bujë edhe në Serbi.

Gjatë një konference për media, Haradinaj e ka cilësuar politike deklaratën e Veselit, teksa ka thënë se Kosova është kërcënuar seriozisht nga Serbia ditë më parë.

“Deklarimet politike kanë peshë. Asnjëherë ato s’janë për t’u neglizhuar”, është shprehur Haradinaj, kur është pyetur se si e konsideron deklaratën e djeshme të Veselit.

“Por, është shumë më kërcënues lajmi se Serbia synon të armatoset me raketa që mbërrijnë të gjitha destinacionet e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj para gazetarëve.

“Në këtë rast do të duhej që ne të mos shkonim në dialog, e jo që ata të reagonin për deklarimet politike të një udhëheqësi të Kosovës”, ka thënë shefi i ekzekutivit, duke iu referuar vendimit të palës serbe për tërheqje nga dialogu me Kosovën në Bruksel.

“Ju e dini, shefi i stafit të ushtrisë serbe vërtet ka deklaruar se ‘synojmë kompletimin e sistemit tonë raketor, me distancë të caqeve që mbërrijnë Kosovën’. Kjo është shqetësuese, duhet të jetë për të gjithë”, ka deklaruar Haradinaj.