Shkruan: Kaltrina Jashari

19 vite pas luftës dhe 10 vite pas shpalljes së Pavarsisë së Kosovës, kur shkruaj për Universitetin e Prishtinës, konkretisht për Fakultetin e Filologjisë, është dashur të diskutoj për cilësinë e arsimit, për arritjet e saj ose për aplikimin e metodave më moderne të ligjërimit. Mirëpo, fatkeqsisht ende duhet të shkruajmë për gjëra që do të duhej t’i takonin të kaluarës. Në vazhdën e problemeve me të cilat përballet ky fakultet është edhe infrastruktura e vjetruar e tij.

Për ta sqaruar këtë që po e shkruaj, po filloj me objektin e këtij fakulteti që është në gjendje të mjerueshme. Nuk mjaftojnë studentët e as profesorët akademik sa do të përgatitur që janë ata, që një fakultet të funksionojë dhe të zhvillohet arsimi i një vendi. Atyre patjetër u duhet një objekt i ri me të gjitha kushtet e nevojshme për mbajtjen e ligjeratave dhe aplikimin e tyre në ushtrime. Nuk është luks kjo që studentët bashkë me profesorët e kërkojnë çdo ditë, sidomos gjatë stinës së dimrit. Është qenësore që një fakultet të ofrojë kushte së paku minimale për zhvillimin e studimeve. Fakulteti i Filologjisë nuk i ofron asnjë nga to.

Objekti i Fakultetit të Filologjisë është me i vjetër se sa vetë Fakulteti.
Gjatë historisë së dhimbshme të popullit tonë, njerëzit që kanë dashur të vazhdojnë studimet dhe profesoërve, u është dashur të rrezikojnë jetën e tyre për t’i zhvilluar ato. Tashmë janë të njohuara për secilin shtëpitë-shkolla, në të cilat janë mbajtur ligjeratat.
Thonë që: “historia që harrohet, përsëritet”, kjo më së miri i shkon vendit tonë. Përderisa në të kaluarën jeta e studentëve të shtëpive-shkolla ka qenë e rrezikuar nga armiku, tani në vitin 2017, jeta e studentëve të Fakultetit të Filologjisë po rrezikohet si pasojë e lënies në harresë nga organet kompetente.

Dikush nga ju që e lexon këtë shkrim mund të pyesë se si rrezikohet jeta e studentëve nga një objekt i vjetëruar? Po, rrezikohet. Kjo mund të ndodhë nga mugesa e ngrohjes dhe tepria e saj. Duket paradoksale por vërtetë është e tillë. Gjatë stinës së dimrit ne ngrijmë nga të ftohtit si pasojë e mungesës së ngrohjes nëpër sallat ku mbahet mësimi. Ndërsa, për paradoks gjatë ditëve të nxehta, ngrohjet janë të lëshuara. Salla 51 e këtij fakulteti, e cila me ironi quhet “salla saunë”, është aq e nxehtë gjatë verës, sa që vështirëson mbajtjen e rregullt të mësimit.

Mjerisht gjatë stinës së dimrit studentët duhet të mbajnë veshur pajisjet e dimrit, në mënyrë që të përballojnë këtë të ftohët. Madje dy ligjerata janë mbajtur në ambiente që nuk janë të themeluara për mbajtjen e tyre. Njëra ka qenë në zyre të një profesoreshe, e cila është ligjeruese në këtë fakultet, zyrë e cila është më e ngrohët në krahasim me sallat. Ligjerata tjetër është mbajtur në dekanat të fakuletit, i cili është i destinuar për mbledhjet e këshillit të fakultetit dhe për ndonjë trajnim të mundshëm. Gjykojeni vetë se si janë zhvilluar ato ligjerata dhe cili është rezultati që është nxjerrë nga to.
Kompania përgjegjëse për sigurimin e ngrohjes së fakultetit, thotë se është e vështirë të ngrohet ky objekt, pasi që është shumë i vjetruar, madje as gypat nuk funksionojnë mirë.
Ky vështirësim vie edhe nga mungesa e dritareve të reja, madje disa nga to nuk mbyllen fare.

Aryeja tjetër për mundësinë e rrezikimit të jetës së studentëve është edhe gjendja e mjerueshme e tualeteve të këtij fakulteti. Posa të hysh në objektin e tij, ajo që do ta tërheq vëmendjen nuk është asgjë tjetër pos aromës kundërmuese të tualeteve. Ato janë të shkatrruara plotësisht, nuk mirëmbahen dhe nuk habitem nëse dëgjoj që ndonjëri nga ne do të infektohej një ditë.

Dhe ta mendosh që secili nga ne vie për të studiuar, për t’u ngritur në nivel akademik, ndërsa ne krahas mësimit rrezikojmë të marrim edhe sëmundje. Prindërit tanë ndajnë kafshatën e tyre, për të na mundësuar neve studimet. Ne kalojmë pjesën më të madhe të kohës në objektet e këtij fakulteti. Profesorët tanë refuzojnë ofertat e fakulteteve private për të kontribuar në zhvillin e arsimit publik në Kosovë. Të gjithë ndajmë dhe anashkalojmë diçka dhe në fund ajo që marrim është një ftohje, një infeksion apo edhe një pamundësi e qëndrimit në këto ligjerata.

Biblioteka që në kushte normale do të duhej të na siguronte një reahti, tek ne nuk e kryen një funksion të tillë. Zakonisht e shfrytëzojmë të kalojmë puzat mes ligjeratave, por edhe të përgatitemi për provime, mirëpo është e pamundur të qëndrosh aty mbi dy orë radhazi, për shkak të ftohtit që mbizotëron në çdo cep të saj.
Paradoksi tjetër i këtij fakulteti është që punimet për “rinovimin” e tij zhvillohen paralel me ligjeratat. Gjatë gjithë verës pothuajse nuk kanë bërë as edhe një gjë, gjatë tetorit ku është edhe fillimi i vitit akademik, ndërroheshin dyert e sallave dhe të zyereve të profesorëve.

Ifrastrukturës së këtij fakulteti, u shtohen edhe mungesa e mikrofonëve, projektorëve dhe mjeteve të tjera që duken të thjeshta e teknike, por ndikojnë shumë në mënyrën e mbajtes të ligjeratave. Në një ligjeratë ku zakonisht janë 60 studentë, mungesa e mikrofonëve dhe zërimit e vështirëson punën. Studentët duhet pothuajse të mbajnë qetësi absolute për të marrë informacionet ose edhe të bëjnë gara se kush do vijë më herët dhe t’i zë vendet e para.
Problemet e përmendura kanë patjetër fajtorët e saj, madje jo vetëm një por disa. Së pari, fajtori kryesor është udheqësia e Fakulteti të Filologjisë, e cila nuk po bënë presion të mjaftueshëm për përmirësimin e gjendjes. Fajtori tjetër është Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila nuk po e merr seriozisht çështjen e infrastrukturës. Dhe së fundit, fajtorë jemi edhe ne studentët, të cilët fatkeqsisht jemi bërë konformist, duke harruar rolin dhe ndikimin që kemi pasë gjatë historisë. Politikanët gjatë fushatave na thonë se ju jeni ardhmëria e këtij vendi, por nuk janë në gjendje që të krijojnë kushtet, që kjo ardhmëri të jetë vërtetë e ardhmja.

Zgjidhja për këto probleme është e pa evitueshme, duhet ndërtohet një objekt i ri, me standarde normale, që do mundësonte zhvillimin e studimeve. Një objekt i ri do të mundësonte që ballë hapur t’i presim myafirët nga e gjithë bota, në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, i cili mbahet në këtë objekt.