Ramush Haradinaj është mirë nëse e ka ndërruar mendimin për moszhbërjen e Gjykatës Speciale. Është në natyrën e liderit të dalë në anën e vendimeve që janë në interes të përgjithshëm. E, jo në interesin e tij personal. Kryeministri aktual e ka dëshmuar se interesi Special i tij nuk është një pozitë pavarësisht se kohëve të fundit ky fakt ka mundur të ndryshojë për shkak të afërsisë së tij me Thaçin e Veselin.

Shkruan Arianit Koci

1.

Liderët e vërtetë, i lënë anash çështjet dhe agjendat personale kur është në pyetje interesi kombëtar.
Lideri madje, e shkel edhe fjalën e vet për interes të përgjithshëm – kur e kupton se e ka gabim!
Lideri gjithmonë e zgjedh një të keqe më të vogël, që ta evitojë një të keqe më të madhe.

2
Gjykata Speciale, është temë shumë e ndjeshme, prandaj edhe liderët mund të gabojnë. Në fakt, margjina e gabimeve mund të jetë më e madhe, kur janë në pyetje temat me interes sipëror kombëtar.

3.
Jam ndër të parët që e ka ngritur zërin kundër kësaj Gjykate. Thjesht, Dhomat e Specializuara – Gjykata Speciale, ka juridiksion mbi krimet që kanë të bëjnë me Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës – apo Raportin e Dick Marty.

Poashtu, Gjykata Speciale sipas nenit 6 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ka juridiksion edhe mbi veprat e parapara në nenet 384 deri 407, dhe nenet 409-411, 415, 417, 419, 421 dhe nenet 423-424 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2012, Ligji 04/L -082, kur ato kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtaret e tyre.

Pra, baza e hetimit janë krimet e pretenduara nga ana e disa individëve shqiptarë. E pa hetim dhe pa akuzë, askush nuk mund të gjykohet.
Deri më tani, nuk kemi informacion se janë hetuar nga ana e Martyt apo prokurorit Williamson, edhe krimet e serbëve.

3.
Kam qenë dhe jam i mendimit që kjo gjykatë duhet të krijohet, por mos të bazohet ekskluzivisht apo kryesisht në raportin e senatorit Marty.

Sidoqoftë, është fakt notor që boshti i hetimeve nga ana e zyrës së prokurorit të specializuar është Raporti i lartcekur.

Për më tepër, Prokurori Special i Task Forcës së BE’së, në korrik të vitit 2014 ka paraqitur raportin e hetimeve të bazuara në Raportin e Dick Martyt lidhur me trafikimin e organeve gjatë luftës, por siç ka pohuar ish-senatori zviceran, “vrasjet e kryera nga strukturat të UÇK-së, gjatë dhe pas luftës.
Vet prokurori Williamson, në raport thekson në mënyrë eksplicite se “… besojmë se TFHS-, do të jetë në gjendje të ngrejë aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të UÇK-së.
Këta individ mbajnë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që është drejtuar kundër popullsisë serbe, rome dhe pakicave tjera në Kosovë, si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës të cilët ishin etiketuar si kolaboracionistë ..”.

Deri këtu është në rregull.

Çdo krim i pretenduar, e posaçërisht krimet e natyrës monstruoze, duhet të hetohen gjykohet.
Nëse vërtetohet se janë kryer krimet e llojeve të tilla, vet ne e kemi interesin më të madh që këto raste të gjykohen.
Nuk mund të jetojmë në mesin e kriminelëve të tillë – nëse ka.
Por, pse Task Forca nuk i ka hetuar edhe krimet e serbëve? Ose së paku, pse prokurori Williamson, asnjëherë nuk ka përmendur që ka hetuar edhe krimet e pushtetit gjenocidal të Millosheviqit?

Besoj që nuk kam nevojë të e zgjas më shumë, se në luftën e fundit në Kosovë, kush ja qenë xhelati e kush viktima.

Sidoqoftë, edhe pse kam qenë kundër kësaj gjykate në këtë formë, në momentin që është votuar, jam bërë pro kësaj gjykate.
Marrëveshja duhet të respektohet!