Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës Dardan Gashi, për gjuajtje me armë në odën e Fatmir Limajt, ku po festohej për lirimin e këtij të fundit nga akuzat për korrupsion.

Më 1 dhjetor KTV-ja kishte publikuar një video në të cilën shihej Sami Lushtaku, zëvendëskryeministri Gashi dhe këshilltari i Limajt, Endrit Shala teksa gjuanin me armë të ndryshme në odën e Limajt në të cilën po festonin lirimin e tij për rastin MTPT.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti në një konferencë për media ka njoftuar se GP i LDK-së ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për interpelancë me kryeministrin Ramush Haradinaj, lidhur me siç tha ai të shtirjes me armë dhe sjelljen e pahijshme të zyrtarëve të lartë të Qeverisë përkatësisht zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, Dardan Gashi.

“Ne vlerësojmë se ajo sjellje bie ndesh me kodin penal të Republikës së Kosovës për armbajtës pa leje për rrezikim të sigurisë publike, por mbi të gjitha bie ndesh me etikën e lartë që duhet të kenë zyrtarët e institucioneve… Ne kërkojmë interpelancë të kryeministrit të diskutojmë se si mundet një zyrtar i lartë të sillet kështu dhe e dyta do të kërkojmë që Kuvendi i Kosovës të votojë për shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, z Dardan Gashi”, ka thënë Hoti, transmeton kp.

Gjatë kësaj konference Hoti është pyetur edhe për qëndrimin e LDK-së lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, Hoti tha se bazuar në veprimet e deritanishme të kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj, i cili ka kundërshtuar vazhdimisht versionin e marrëveshjes aktuale të demarkacionit me Malin e Zi, si LDK janë në pritje të ndonjë marrëveshje të re me Malin e Zi.

“Jemi duke analizu në veçanti sjelljen e kryeministrit karshi kësaj marrëveshje sepse ju e dini që ai i ka vënë flakën Kuvendit të Kosovës, janë djegur institucionet, është përdorë dhunë kundër kësaj marrëveshje dhe normalisht pritjet tona si LDK janë që ai të sjellë një marrëveshje të re me Malin e Zi ku e çon kufirin atje ku ai ka pretendu dhe ku ka kërku që komisioni i Bulliqit t’ia vizatojë në harta”, tha Hoti.