13 korriku i vitit 2015 është një ditë e zezë për Republikën e Kosovës. Në një sallë të Kuvendit, Ramush Haradinaj e nisi performimin e një prej hipokrizive më të mëdha politike në vend. Ai ia përplasi për fytyre një hartë, z.Murat Meha, i cili po raportonte për shenjimin e kufirit me Malin e Zi. Madje, e quajti edhe ‘peder’ – duke e shtrirë temën edhe në fushën e seksualitetit.

Prej asaj dite, Ramushi e rifreskoi imazhin e tij prej një patrioti. Ndërkohë që e hapi një debat të madh në lidhje me çështjen e Demarkacionit – të cilën, vetëm pak vetë e merrnin vesh. Ratifikimi në Kuvend i atij versioni të demarkacionit, të cilin përvijueshëm me logjikën e kryeministrit [dhe me ironi] mund ta quajmë ‘pederesk’ dhe ‘tradhtar’ – ishte bërë kushti kryesor për liberalizimin e vizave.

Kusht ishin edhe disa shenja për luftimin e korrupsionit, të cilat u dhanë me ngritjen e aktakuzës për Azem Sylën dhe dhjetëra të tjerë në rastin ‘Toka’. Kushti i dytë kryesor herë thuhej që ishte, e herë që nuk ishte në të vërtetë kusht. Gazetari Augustin Palokaj, në një kolumnë për portalin Koha, sqaronte se veç këtyre dy kritereve, me kalimin e kohës dhe me stërzgjatjen eventuale të çështjes në fjalë, mund të viheshin edhe kushte tjera. Dhe kosovarët ta harronin udhëtimin pa viza nëpër Evropë.

Por, Ramushi u bë bashkë me ata që e kishin autorizuar një ‘peder’ [natyrisht, ne nuk e mbështesim përdorimin e termeve të tilla në diskursin publik] për të shenjuar kufirin tonë. Ai lidhi koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës – të cilën e kishte kritikuar e stërkritikuar për qeverisje dhe ndaj të cilës kishte vënë ‘vija të kuqe’ paraprakisht.

Nga një hipokrizi e tillë e pësuan qytetarët e Kosovës. Mbetëm pa liberalizim vizash dhe i humbëm kot tri vite me diskutime e polemika të pafrytshme, që prodhonin dramë por nuk jepnin zgjidhje. Sidoqoftë, hipokrizia e ndihmoi Ramush Haradinajn që të zgjidhej kryeministër i Republikës së Kosovës – një ëndërr personale, për realizimin e të cilës ishte angazhuar e gjithë partia e tij e paprofilizuar politikisht. Por, deri tash ai ka qenë kryeministri më i kotë, dhe më i vrazhdë që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Metodologjia e përvijuar nga Afera Pronto e bën Ramushin të duket ‘cullak’ në ushtrimin e pushtetit të tij. Pushimet luksoze, vendimi për faljen e borxheve, rritja absurde e rrogave, takimet me familjarë e të afërm në zyren e kryeministrit, dhëndrri i bërë ‘pa dijeninë e tij’ kreu i një prej institucioneve me fondet më të mëdha në vend – e bëjnë të duket qesharak.

Dhe, edhe dita e sotme, 16 shkurti, e qet ‘cullak’ dhe qesharak njeriun që i humbi shumë kohë, një vendi të varfër që nuk ka kohë për të humbur.

U arrit nënshkrimi i një deklarate të përbashkët nga presidenti malazez Vujanoviq dhe presidenti i Kosovës, Thaçi – që thoshte se megjithatë pikat e kontestueshme do të mund të rishikoheshin. Por, marrëveshja e njëjtë e ‘pederit’ të Ramushit, Murat Mehës, do të shkojë sërish në Kuvend – dhe me gjasë, do të ratifikohet. Një deklaratë e përbashkët mund të bëhej edhe dy-tri vite më herët, pa qenë e nevojshme që Haradinaj të faktorizohet me këtë çështje. Po flasim hipotetikisht, pra vetëm nëqoftëse rishikimi dhe rinegocimi çojnë në marrëveshje të re – ku pjesët e kontestuara, do të vërtetohej se bëjnë pjesë në Republikën e Kosovës.

Por, rimendojeni pozicionin e Malit të Zi. A ka mundësi Mali i Zi, që e ka ratifikuar marrëveshjen, t’iu thotë qytetarëve se është bërë gabim, dhe se një pjesë e territorit që u pranua dikur se iu takonte, po del se nuk iu takon? Edhe në Mal të Zi ka formacione të ndryshme politike, opozitë dhe shoqëri civile, që do të bënin probleme të mëdha për çështjen. Dhe që do ta interpretonin si ‘falje të tokës’. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ndërkohë, në një konferencë për medie, e quajti ‘mashtrim’ deklaratën – duke kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit Thaçi.

Nuk ka dyshim që Haradinaj duhet t’iu kërkojë falje qytetarëve të Republikës së Kosovës! Por, nuk ka dyshim se Ramushi nuk ka ‘këllçe’ për një gjë të tillë.

Megjithatë, është gjë e mirë që Kosova më në fund do ta kalojë këtë problem, dhe do të fitojë mundësinë për liberalizim vizash. Por kjo do të bëhet, nga njeriu më me faj që një gjë e tillë nuk ndodhi deri më tash.