Haradinajn, edhe unë, por edhe ju, nuk duhet ta gjykojmë shumë rënd. Duhet ta gjykojmë vetëm në përputhje me edukimin e tij. Kur po them edukimin, po mendoj saktësisht në edukimin shkollor. Nuk e kupton politikën, nuk është i prirur për kompromis. Prandaj, tejkaloje.
I nderuari z. Mustafa,

Po shpresoj që, ndonëse në shërim, po e ndjek, sikur të gjithë ne, situatën politike në vendin tonë. Po shpresoj që, gjithashtu, po i sheh zhvillimet e fundit rreth demarkacionit.

Sigurisht që për çdo detaj je duke marrë raporte të rregullta nga zyrtarët e LDK’së, posaçërisht rreth negociatave të partive politike se çfarë duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës, me theks të veçantë se a duhet të votohet edhe raporti i sharlatanit Shpejtim Bulliqit a jo.

Duke qenë pjesë e jetës akademike tash e një jete, më mirë se çdo kush tjetër dini ta lexoni se çka është shkencore e çka nuk është, çka është politike e çka nuk është. Mirëpo, siç edhe mund ta mendosh, një aftësi të tillë nuk e kanë të gjithë kolegët në skenën politike. Ka prej tyre që më shumë se sa lider të vendit e shohin vetën si prijës fisesh. Kuvendin e shohin si mexhlis arkaik, ku kompromisi është viktima e parë.

Që ti bie shkurt hesapit, apeli im për ty dhe për partinë tënde është ky: Mos u bëni me mend të Ramushit. Pritjet e mia në këtë rast, për juve, edhe si parti edhe si individë, janë më të mëdha se sa pritjet për AAK’në dhe Ramush Haradinajn.

E kuptoj, disa tash do të thonë se gjatë zgjedhjeve të fundit e mbështeta Haradinajn për Kryeministër me një editorial. E pikëllueshme por e vërtetë. Një mbështetje e tillë më shumë kishte ardhur si hakmarrje ndaj pamundësisë së LDK’së që t’i bëjë numrat, nuk i kishte, për ta kaluar këtë çështje. Edhe LDK z. Mustafa i kishte në gjirin e saj ca komandantër që në mandantin e kaluar ua bën jetën më të vështirë, duke u rreshtuar krah opozitës për çështjen e demarkacionit. Ata frikësoheshin, jo pse besonin.

Sido që të jetë, kjo është gjendja. Këtu kemi arritur. Haradinajn, edhe unë, por edhe ju, nuk duhet ta gjykojmë shumë rënd. Duhet ta gjykojmë vetëm në përputhje me edukimin e tij. Kur po them edukimin, po mendoj saktësisht në edukimin shkollor. Nuk e kupton politikën, nuk është i prirur për kompromis. Ai mendon që fjala e tij e dhënë është më e rëndësishme, shumë më e rëndësishme, se e ardhmja e dy milionë qytetarëve të tjerë. Çka është edhe më tragjike, ai ndoshta edhe beson në këtë gjë.

Dëshiroj të them, kjo temë po na shpenzon energji shumë më shumë se sa kemi kapacitete për të prodhuar. Jemi në limitin e mundësive tona, kurse ju, bashkë me kryetarin e NISMA’së, jeni personat e vetëm, sipas meje, që mund ta kuptoni këtë gjendje, pa u përfshirë në emocione, pa menduar fillimisht me muskuj e pastaj me tru.

Unë personalisht nuk mendoj që raporti i Bulliqit duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës. Unë nuk do ta votoja atë raport, jo pse është i pasaktë, jo pse është raport politik, jo pse është raport i porositur nga z. Haradinaj për të qenë ashtu, por pse është e dëmshme për shoqërinë tonë që raporte të tilla qesharake, të cekëta, të konfirmohen në Kuvend të Kosovës. Do të ishte një shembull i keq për fëmijët tanë, për studentët, për shkencëtarët e ardhshëm, që të vendosim precedente të tilla.

Pra, z. Mustafa, janë disa arsye pse raporti i Bulliqit nuk bën të kalojë.

Mirëpo ne e pamë performansën e z. Haradinaj, pak a shumë sikur në oda. “Sa të jam Kryeministër ky raport nuk hjeket”, ishte gjuha e tij në Kuvend.

A nuk është kjo gjuha që e dëgjojmë në çdo pazar të Kosovës? A nuk është kjo e njëjta gjuhë që e kemi dëgjuar sa herë janë vrarë kushërinjtë për toka?

“Unë gjallë e ti me e shti pllugun knej, jo”. Pastaj janë vrarë dy tre vëllezër.

Këtë fat e paskemi pasë. Të gjithë i kemi përgjegjësitë tona. Asnjëri nuk jemi pa faj.

Mirëpo a ia vlen të dorëzohemi? A ia vlen të barazohemi me këtë nivel?

Unë, z. Mustafa, mendoj që jo. Thjesht duhet të shikojmë mundësitë më të mira për t’u shmangur prej konflikteve, para të cilave na sjellin logjikat: Sa të jam unë gjallë.

Në këtë rast duhet t’ia hapim rrugën Ramushit. Është më pak i ditur prej të gjithë të tjerëve. Është më pak elastik prej të gjithë të tjerëve. Duke qenë “më pak” në shumë drejtime, është shumë më i paarsyeshëm në shumë drejtime të tjera. Duke qenë kështu, i bie që ne të tjerët duhet të sillemi me kujdes dhe pragmatizëm. I bie që në këtë rast, për të mirën e përgjithshme, ta kalojmë atë dhe raportin e Bulliqit, nëse një gjë e tillë nuk na prishë punë me Malin e Zi. Tek e fundit, a nuk ishte vetë Mali i Zi që e tejkaloi z. Haradinaj, duke ia mundësuar një hapësirë manovruese? A nuk e pamë Kryeministrin e këtij shteti mik që erdhi në vendin tonë dhe na hapi rrugën? A e din pse? Sepse është më i edukuar dhe më vizionar, duke e këmbyer një humbje momentale për një fitore përfundimtare.

Z. Mustafa, të jesh i bindur që kjo nuk do të jetë një fitore politike e z. Haradinaj. Përkundrazi, kjo për të do të jetë vetëm një fitore e Pirros. Pak a shumë sikur një fëmijë që zhgërryhet në tokë, qan, bërtet, then, deri sa t’i detyrojë prindërit që t’ia blejnë edhe një akullore, ndoshta të 10 gjatë ditës. Sigurisht që ai fëmijë i llastuar do ta fitojë edhe një akullore më tepër, por jo edhe simpatinë e të tjerëve në shtëpi.

Tashmë të gjithë e dimë kush është dhe kush ishte pengesa kryesore e kësaj teme. E dimë që gjithashtu, kaloi ose nuk kaloi Bulliqi, ai raport do të jetë thjesht një letër e mirë për t’u hedhur në shportën më të afërt të plehrave. Prandaj, nuk ia vlen të luftohet për një copë letër të pavlerë.

Hapja rrugën z. Haradinaj. Mos i ofro kushte për përplasje. Në këtë mënyrë ia hap rrugën qytetarëve të vendit.