qkuk

Institucionet e Kosovës nuk kanë investuar sa duhet për krijimin e mundësive që intervenime të ndryshme të mund të kryhen në QKUK.

Kështu ka thanë për Radio Kosovën, Haxhi Avdyli, anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Punë Sociale. Sipas tij, nuk është për t’u krenuar nëse rritet buxheti për trajtim jashtë vendit, por do të duhet të krijohen kushte që shumë nga intervenimet të kryhen në QKUK.

Nuk është krenari për institucionet nëse e rrisim buxhetin për shërim jashtë vendit. Krenari për shtetin tonë është nëse e rritim buxhetin për sektorin vital në shëndetësi, dhe ta ulim nevojën e dërgimit jashtë vendit. Është imediate që ne ta rrisim buxhetin për ato vende ku pacientët tanë po ngarendin për t’u trajtuar jashtë, dhe të arrijmë sa më shpejtë të krijojmë kushte”, tha Avdyli.

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, ka deklaruar se disa nga intervenimet e ndërlikuara nuk mund të kryhen në QKUK, dhe për këtë shkak pacientët detyrohen t’u drejtohen vendeve tjera. Fazliu tha se në disa klinika vetëm për mungesë të një pajisjeje të thjeshtë nuk mund të kryhet intervenimi.

Ka klinika ku për një specifikë apo pajisje të vogël mundet me qenë jashtë funksionit një shërbim. Pra fokusi kryesor do të jetë në blerjen e aparaturave për funksionalizim të shërbimeve të caktuara që për një mungesë të një pajisjeje nuk po mund të funksionalizohet aparati”, tha Fazliu.

Ndërsa, Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se do punohet në avancimin e shërbimeve të reja, sidomos në fushën e kardiologjisë, kardiokirurgjisë, onkologjisë dhe në fushën e pediatrisë, ku edhe ka më së shumti raste.

Intenca e Ministrisë së Shëndetësisë është që t’i forcojë shërbimet ekzistuese dhe të hap shërbime të reja, në mënyrë që numri i atyre që kanë nevojë për trajtim jashtë QKUK-së të jetë sa më i vogël”, tha Hoti.