Shqipëria U21 ka treguar një tjetër paraqitje jo të mirë në miqësoren ndaj Gjeorgjisë, të cilën e humbi 3:0. Por, kjo humbje është e dyshimtë, nëse shohim koeficientin që ndryshoi në mënyrë të çuditshme në bastore

Të rinjtë e Kombëtares shqiptare ata U20 të drejtuar nga Alban Bushi kanë pasur një tjetër paraqitje zhgënjyese.

Ata janë mposhtur 3:0 në një miqësore ndaj Gjeorgjisë, e cila i ka shërbyer trajnerit Bushi për të parë se cilët lojtarë mund t’i marrë në U21.

Por, siç duket nuk ka qenë gjithçka në rregull me këtë ndeshje dhe këtë e tregojnë edhe koeficientet që lëviznin çuditshëm në bastore.

Kur zhvillohej minuta e 66’të e ndeshjes Shqipëria ishte duke humbur 1:0, por koeficienti për dy gola të tjerë ishte 1.72 në bastoren e madhe Bet365, shkruan gazeta Express.

Dy minuta më vonë, në minutën e 68’të, koeficienti në vend që të rritej, siç ndodh zakonisht në çdo ndeshje me kalimin e minutave, filloi të binte. Në minutën e 68-të që të shënoheshin edhe dy gola nga 1.72 ra në 1.66.

Bastoret këtë strategji e përdorin vetëm atëherë kur vendosen shuma të mëdha dhe për të minimalizuar humbjet, zvogëlon edhe koeficientin.

Ata duket se kishin të drejtë, pasi vetëm gjashtë minuta më vonë, Gjeorgjia nga 1:0 e thelloi epërsinë në 3:0, duke rritur kështu dyshimet se diçka nuk ishte në rregull.

Për më shumë, kur zhvillohej minuta e 85’të, koeficienti që Gjeorgjia të shënonte një gol ishte vetëm 1.5, që rëndom kalon edhe kuotën 3.

Kjo ndeshje u zhvillua sot nga ora 11:00 dhe nuk ka asnjë të dhënë rreth saj, se kush luajti, apo kush shënoi. /Express/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here